Vettingu në polici, Hodaj: Nuk ka parashikime ligjore për policët që shkarkohen

Efektivët që përjashtohen nga vettingu nuk do të mund të futen më në radhët e policisë përgjithmonë. Ndryshe nga sistemi i drejtësisë, i cili parashikon lehtësira për prokurorët dhe gjyqtarët e përjashtuar, policët nuk mund të punojnë as në shoqëri të ruajtjes private të sigurisë. Ligji parashikon që policëve që kapen me shkelje t’iu mohohet çdo mundësi rikthimi në detyrë.

“Ligji është i qartë në këtë pikë. Ata që kalojnë të tre kriteret qëndrojnë në detyrë. Ata që nuk kalojnë, largohen nga detyra në përjashtim të rastit kur vërehet tek punonjësi ndonjë mangësi profesionale e cila mund të kompensohet shumë mirë nëpër një procesi riformimi dhe rispecializimi tek Akademia e Sigurisë”, u shpreh zv.ministri i Brendshëm.

Sipas Hodajt, të parët që do kalojnë vlerësimin e pastërtisë, pasurisë dhe profesionalizmit janë 245 drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Seancat e para dëgjimore do të zhvillohen në të njëjtin ambient tek Pallati i Kongreseve, si në sistemin e drejtësisë.

“Ai është një proces që fillon nga maja e piramidave përkatëse të secilit institucion. Pra besoj që të parët që do të kalojnë në vlerësim të jenë drejtuesit respektivë të këtyre institucioneve. Do ishim shumë të lumtur nëse në fund të korrikut të kishim caktimin e seancave të para dëgjimore”, deklaroi zv.ministri Hodaj.

Deri më tani, nga verifikimi i të dhënave, ende nuk ka pasur drejtues të cilët kanë shfaqur probleme për sa i përket tre kritereve.

Shkarkoni aplikacionin e A2