Zeneli: Presidenti ka shkarkuar veten, qëndrimin për të nuk e kemi “pjekur” ende

Këtë të hënë, në Parlament pritet të votohet krijimin i një komisioni të posaçëm hetimor që do të hetojë shkeljet e mundshme të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta me zhdekretimin e 30 qershorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos, Alban Zeneli, deputeti i grupit parlamentar Demokrat u shpreh se grupi ku ai bën pjesë ende nuk e ka vendosur nëse do të marrë pjesë në debatin e së hënës në Kuvend ku do të diskutohet ngritja e komisionit hetimor.

“Procedura duhet të ndiqet normalisht, por ajo që vendos në fund është Gjykata Kushtetuese. Ne ishim sot së bashku me zonjën Hajdari dhe ishim të qartë. Procedurën për shkarkimin e Presidentit Meta ne nuk e ndalojmë dot sepse komisioni hetimor ngrihet me një shumicë të thjeshtë. Ne akoma nuk e kemi “pjekur” nëse do të marrim pjesë në debat në seancën e së hënës”, tha Zeneli.

Më tej, teksa ka folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe dekretet e Presidentit, Zeneli është shprehur se Meta ka gabuar.

“Unë nuk jam jurist nëse është apo jo i drejtë dekreti për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor. Në aspektin politik është i gabuar sepse ne duhet t’i ikim vendimeve që sot themi një gjë dhe nesër një gjë tjetër. Ndryshimi i datës, nëse do të ishte vërtetë bashkues, atëherë data nuk do të kishte problem. Por kam vënë re se ndryshimi i datës nga Meta nuk e ka arritur këtë gjë. Nuk është se Presidentin e shkarkoj unë, pasi për këtë ka një procedurë, por Presidenti e ka shkarkuar vetveten”, tha Zeneli.

Shkarkoni aplikacionin e A2