Zv/ministri i Jashtëm: Deklarata e Macron kundër zgjerimit? Nuk ka të bëjë me Shqipërinë

I ftuar në A2 CNN, zv. ministri i Jashtëm Sokol Dedja komentoi refuzimin e BE-së të kërkesës holandeze  për rikthimin e vizave ndaj Shqipërisë, si dhe mundësitë konkrete më 18 tetor për negociatat.

Për Dedjen, “ndodhi ajo që kishim thënë që në krye të herës, që kërkesa holandeze ishte e pabazuar në fakte. Ka një rregullore të vizave të BE që përcakton mekanizmin e pezullimit të përkohshëm të lëvizjes pa viza”, ku zv. ministri radhit rritjen e konsiderueshme të emigracionit të paligjshëm në vendin në fjalë, rritjen e kërkesave për azil, kërcënimi i vendit nga kriminalitetit, mungesa e bashkëpunimit për riatdhesim.

Për të “në fakt kemi ulje në të gjitha këto indikatorë. Ka përmirësim të dukshëm të situatës”, edhe pse pohon se “sigurisht puna nuk mbaron këtu, dhe jemi të përkushtuar në bashkëpunimin me Holandën dhe BE për ulje të mëtejshme të kërkesave për azil dhe luftën kundër krimit të organizuar”.

Ngritja e zërit  nga këto vende është gjithsesi “shqetësues” për vendimin e çeljeve të negociatave me BE, por kjo nuk do të thotë se deklarata si ato të presidentit francez Macron kundër zgjerimit kanë të bëjnë me detyrat e shtëpisë që Shqipëria po kërkon të përmbushë.  

“Ajo që u dëgjua nga presidenti francez nuk ka të bejë as me Shqipërinë as me Maqedoninë e Veriut”, shtoi Dedja, duke thënë se  fjalët e presidentit ishin thënë në një situatë irritimi sepse nuk po arrihej marrëveshja për të përcaktuar postet kryesore në Bashkinë Europane.  

Për sa i përket përgjigjes së BE ne 18 tetor, Dedja thotë se Komisioni Europian, vlerësuesi teknik i plotësimit të kushteve, i ka dhënë “dritën jeshile” për miratimin  e çeljes së negociatave, por se është po aq e vërtetë “se zhvillimet e brendshme politike kushtëzojnë qëndrimet e secilit vend”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN