Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Brenda kampit ushtarak ku stërviten të rinjtë në Gaza

Nga A2 CNN
5 Korrik 2019, 22:35 | Bota

Mijëra të rinj palestinezë treguan të enjten aftësitë e tyre ushtarake të fituara në kampet verore të trajnimit që drejtohen nga grupi terrorist “Xhihadistët Islamikë Palestinezë”.

Çdo vit, mijëra të rinj, nga fëmijë deri në adoleshentë, marrin pjesë në këto kampe që drejtohen nga “Xhihadistët Islamikë Palestinezë”, ku si aktivitete kryesore janë aftësitë ushtarake dhe praktika e qitjes me armë.

Grupi që nga autoritetet perëndimore konsiderohet si terrorist, gjithashtu iu mëson nxënësve të rinj edukimin fetar në filozofinë ekstremiste, i cili në qendër të tij ka luftën për shkatërrimin e Izraelit dhe zgjerimin e kufijve të shtetit palestinez në tokat e pushtuara.

Në “ceremoninë e diplomimit” që u mbajt në Gaza, të rinjtë pozuan me armë druri të prera në formën e një kallashnikovi dhe treguan aftësitë e tyre në dyluftim dhe arte marciale.

Të shkosh në këto kampe verore është një aktivitet shumë i zakonshëm për fëmijët palestinezë dhe “Xhihadistët Islamikë Palestinezë”, janë një nga tre grupet më të mëdha që merret me drejtimin dhe financimin e tyre, shkruan Daily Mail.

Sipas një raporti të shërbimeve të inteligjencës izraelite, gjatë vitit 2013, në këto kampe verore merrnin pjesë 100 mijë fëmijë nga mosha 12 vjeç e lart.

Aktualisht “Xhihadistët Islamikë Palestinezë” kanë dy lloje kampesh, njërin tërësisht ushtarak dhe tjetri që përfshin një seri të gjerë aktivitetesh. Në përgjithësi ato zgjasin 2 javë. Organizata gjithashtu inkurajon mediat që t’i mbulojnë aktivitetet e tyre.

Një nga këshilltarët e kampit thotë se qëllimi i tij është të trajnojë gjeneratat e reja për të luftuar “Armikun Zionist” dhe t’i qëndrojnë besnik Kuranit, në linjën e themeluesit të “Xhihadistëve Islamikë Palestinezë”, Fathi Shaqaqi.

Në stërvitje përfshihen dhe ushtrime konkrete se si të futësh në një pikë kontrolli izraelite dhe të kapësh një nga ushtarët aty.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani