Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

FMN: Qeveria të rrisë taksat për të përballuar borxhin

Nga A2 CNN
5 Korrik 2019, 11:45 | Ekonomi
FMN: Qeveria të rrisë taksat për të përballuar borxhin

Qeveria shqiptare duhet të rrisë taksat për të adresuar problemin e borxhit publik dhe ngushtimin e hapësirave në buxhet që po krijojnë projektet PPP. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përsëritur edhe njëherë këtë mesazh, në raportin e zgjeruar, pas mbylljes së fazës së dytë të monitorimit në maj.

Institucioni ndërkombëtar thekson nevojën që qeveria të rrisë bazën e taksapaguesve dhe të thjeshtojë sistemin tatimor, duke hequr përjashtimet që i bëhen kategorive të ndryshme të biznesit, apo lehtësimet që i bëhen sektorëve të caktuar. Kjo sipas FMN nënkupton rishikimin e ndryshimeve të fundit në paketën fiskale, që kanë gërryer aftësinë e sistemit për të përthithur të ardhura.

Nga ana tjetër, kërkohet rritja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël në 5 milionë lekë xhiro, nga 2 milionë lekë sipas ndryshimit të paketës fiskale të vitit 2018. Ky ndryshim rriti bazën e bizneseve të regjistruara në TVSH me gati 13 mijë biznese. Por nga ana tjetër krijoi një barrë të madhe për administratën tatimore, kundrejt të ardhurave të dobëta që vilen nga këto biznese.

Reformë e thellë kërkohet edhe brenda administratës tatimore, në mënyrë që ajo të jetë më eficiente në mbledhjen e të ardhurave. Ndërsa Fondi mirëpret përpjekjet e qeverisë për të zgjidhur ngërçin me rimbursimin e TVSH-së, duke marrë masa që në të ardhmen këto pagesa t’u bëhen sipërmarrjeve në kohë dhe në mënyrë sa më transparente.

Sipërmarrja: Taksat, pengesë për aktivitetin

Taksat dhe qasja e administratës tatimore janë edhe një nga shqetësimet më të mëdha të sipërmarrjes. Raporti i fundit i Barometrit të Biznesit për Ballkanin evidentoi se bizneset shqiptare i shohin nivelet e taksave si pengesë për aktivitetin e tyre. Një pjesë e madhe e sipërmarrësve shprehen se ndryshimet fiskale janë shumë të shpeshta, kontradiktore dhe të paqarta, çka vështirëson edhe marrëdhënien e tyre me administratën tatimore.

Barra e lartë e taksave, ka shtyrë një pjesë të bizneseve të fshehin xhiron e tyre reale, apo të mos deklarojnë pagat e plota të punonjësve. Këto forma evazioni pranohen nga vetë bizneset në anketat e zhvilluara.

Ndërkohë, bizneset eksportuese shprehin si një ndër shqetësimet kryesore mosrimbursimin në kohë të TVSH-së. Vonesat reduktuan aftësinë paguese të këtyre sipërmarrjeve dhe i detyruan një pjesë të merrnin kredi për të siguruar kapital qarkullues.

A2 CNN Livestream

Dita jonë