Ndotja akustike në bregdet, Policia: Do të ndëshkohet çdo biznes që nuk respekton ligjin

Policia e Shtetit kërkoi zbatimin e ligjit nga të gjitha lokalet e natës për nivelin e zhurmave, kryesisht në zonat bregdetare. Në një deklaratë për mediat, drejtori për rendin dhe sigurinë, Gjovalin Loka, tha se për këtë kanë mbërritur mjaft shqetësime nga ana e qytetarëve.

“Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë “LIVE”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë”, tha Loka.

Për këtë, ai shtoi se do të ushtrohen kontrolle të shumta. “Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara”.

Policia e Shtetit apeloi dhe institucionet e tjera për të punuar lidhur me nivelin e zhurmave pasi në të kundërt do të merren masa dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN