Paloka: Banditi që kërcënoi Zgurin është i njëjti që ka kërcënuar edhe Plasarin

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka kërkuar arrestimin sa më parë dhe vënien para drejtësisë së personit që ka kërcënuar me jetë kryetarin e KQZ, Zguri dhe familjen e tij.

Paloka thekson se është i njëjti person, i cili ka kërcënuar edhe profesor Aurel Plasarin. Ai thotë më tej se kjo është fryma me të cilën Rama ka organizuar 30 qershorin.

“Mediat në vend kanë raportuar se menjëherë pasi kryetari i KQZ, Klement Zguri, kërkoi hetim administrativ të manipulimit dhe të mbushjes së kutive në votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 qershorit, ai ka marrë kërcënime serioze për jetën e tij dhe të familjes së tij. Në Shqipërinë e Edi Ramës, kushdo që kërkon të zbatojë ligjin kërcënohet nga bandat e Ramës. Bandat prekin zgjedhjet, mbushin kutitë, ndërsa sot kanë kaluar çdo limit duke kërcënuar me jetë Zgurin dhe familjen e tij.

PD kërkon menjëherë arrestimin dhe vënien para drejtësisë të banditit që për pushtetin e Edi Ramës kërcënon kreun e KQZ për shkak të kërkesës së tij për të hedhur dritë mbi mbushjen e kutive. Ky është i njëjti bandit që ka kërcënuar edhe profesor Aurel Plasarin, i cili e ka denoncuar faktin pas kërcënimit të Zgurit, duke vënë në dukje se kjo është fryma me të cilën Rama ka organizuar 30 qershorin”, tha Paloka.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN