Sanksionet e BE-së, Putin i kërkon Italisë që të ndërmjetësojë

Qëllimi i vizitës së Presidentit rus, Vladimir Putin në Romë ishte për të gjetur një ndërmjetësues për sanksionet e Bashkimit Europian.

Pas takimit me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, që zgjati rreth gjysmë ore, shefi i Kremlinit theksoi se dëshiron të rikthejë plotësisht marrëdhëniet mes Moskës dhe Brukselit.

“Ne jemi partnerë neutral në shumë fusha. Jemi afër gjeografikisht dhe ndajmë të njëjtin civilizim. Pra, nuk shoh pengesa të mëdha për rikthimin e plotë të marrëdhënieve. Por, e përsëris: kjo varet dhe nga partnerët tanë evropianë”, tha Putin.

Nuk dihet ende nëse qeveria e Romës e ka pranuar këtë rol ndërmjetësuesi, por zëvendëskryeministri Matteo Salvini është shprehur shpeshherë kundër sanksioneve të BE-së dhe qëndrimit të ashpër ndaj Rusisë.

Kryeministri Conte e lidhi qëndrimin e Brukselit për masat ndëshkuese me aneksimin e Krimesë: “Kriza në Ukrainë është një çështje që duhet të zgjidhet sa më parë. Ka vendosur dhe vazhdon të vendosë në diskutim marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe Rusisë dhe vazhdimi i këtij konflikti rrezikon të çojë në humbje besimi dhe bashkëpunimi që është maturuar në 25 vite dialog”.

Gjatë qëndrimit në Romë, Putin u takua dhe me Papa Françeskun dhe disa politikanë të tjerë italianë. Vizita e Presidentit rus u shoqërua me protesta nga komuniteti ukrainas.

Shkarkoni aplikacionin e A2