Krimi zgjedhor; Hajdari: U fut në mënyrë tinëzare. Ruçi: Na quajnë si delja e zezë në botë

Në seancën parlamentare para zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, socialistët i dhanë më shumë kohë opozitës për të marrë në këmbim një përgjigje pozitive. E thënë ndryshe, votat e mjaftueshme për të kaluar me 84 vota ndryshimet në kod.

Vendimi, ndër të tjera, duket se është diktuar edhe nga konferenca e kryetareve, që parapriu Parlamentin. Rudina Hajdari, kryetarja e grupit parlamentar demokrat, u shpreh e shqetësuar për futjen në mënyrë jo transparente të ndryshimeve ligjore të kodit mbi krimin zgjedhor. Sipas saj, ndërkombëtarët nuk japin aprovimin për këto raste.

“Neni i shtuar i Kodi Penal, erdhi në mënyrë tinëzare në orën 7 të darkës, në Komisionin e Ligjeve pa u shqyrtuar më parë me opozitën. Mos ta përdorim dhe ta shfrytëzojmë këtë rast, sepse nuk do të dukemi mirë as në sytë e shqiptarëve dhe as në sytë e aleatëve tanë. Ata shohin që këto projektligje shpesh po përdoren politikisht për një agjendë afatshkurtër”

Rudina Hajdari

Pyetjeve të shumta të Hajdarit, i dha përgjigje kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, duke sjellë kundër shembuj dhe duke sjellë në vëmendje impaktin që kanë pakica shqiptarësh të cilët kryejnë krime në botë.

“Mos harroni që jemi i vetmi shtet që ka nënshkruar kontratë me FRONTEX-in për të kontrolluar kufijtë. Pse? Sepse jemi bërësi delja e zezë, sikur ne shqiptarët e futëm edhe në Europë, edhe në botë, krimin, korrupsionin, drogën. Por ne nuk kemi pse të penalizojmë një vend, një shtet, një popull të tërë për shkak të individëve të veçantë”

Gramoz Ruçi

E ndërsa opozitarët e rinj kanë marrë kohën e tyre, mbetet për t’u parë nëse seancën e radhës, atë të së enjtes, do të japin ose jo dakordësinë e tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2