Qeveria krijon 700 milionë lekë borxhe në 3 muaj

Qeveria shqiptare nuk i ka ndjekur rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar që apelon për shlyerjen e plotë të detyrimeve të prapambetura. Borxhet që institucionet shtetërore i kanë biznesit apo individëve arritën në fund të muajit Mars në 6.8 miliardë lekë, rreth 700 milionë lekë më shumë se në fund të vitit të kaluar.

Pas një trendi rënës të këtyre detyrimeve, ato kanë rinisur të rriten, duke vënë në dyshim aftësinë paguese të shtetit, në një kohë kur të ardhurat në buxhet janë nën planifikimin.

Dikasteri që ka krijuar më shumë borxhe, e që mban edhe peshën më të madhe të stokut, është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këto tre muaj të parë të vitit, kjo ministri ka akumuluar 513 milionë lekë fatura të papaguara për ndërtimin e rrugëve. Ndërkohë, detyrimet janë në rritje edhe për Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Turizmit e Mjedisit, si dhe për Ministrinë e Arsimit.

Në llogaritë e saj, FMN përfshin edhe këto detyrime në borxhin publik, duke dhënë një shifër prej 69,9% të PBB, larg shifrës prej që deklaron qeveria prej 65,8%. Ajo çfarë është më shqetësuese, është fakti se nga këto fatura të papaguara, plot 2,2 miliardë lekë, apo rreth 18 milionë euro janë pagesa të vonuara nga vendimet e humbura gjyqësore, kryesisht për largimet e padrejta nga puna.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN