Sërish tërmet në Kaliforni, ka të lënduar dhe vatra zjarri

Toka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po gjen qetësi. Një tërmet me magnitudë 7,1 të shkallës Rihter, tronditi jugun e Kalifornisë, më i fuqishmi i dy dekadave të fundit. Thellësia e tij ishte vetëm 1 kilometër dhe epiqendra ishte në qytetin Ridgecrest, në afërsi të Los Angeles.

Lëkundjet e forta sizmike erdhën pas tërmetit të magnitudës 6,4 që goditi të njëjtin rajon disa ditë më parë. Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të përsëritet. “Ne patëm dy lëkundje me nga 5 ballë që pasuan tërmetin. Probabiliteti që të kemi tërmete të tjera javën që vjen është shumë i lartë”, thotë Lucy Jones, sizmologe. 

Ndryshe nga ai i disa ditëve më parë, tërmeti i fundit shkaktoi dhe të lënduar, përveç dëmeve të mëdha materiale. “Janë raportuar disa të plagosur, por akoma nuk kemi një numër të saktë. Deri më tani nuk ka raportime për viktima”, tha Mark Ghilarducci, drejtor i zyrës së emergjencave.

Lëkundjet e forta sizmike shkaktuan dhe vatra të ndryshme zjarri, si pasojë e çarjes së tubacioneve të gazit. Autoritetet njoftuan se zona të ndryshme mbetën pa energji elektrike. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom shprehu mbështetjen e tij për zonat e goditura dhe i kërkoi presidentit Donald Trump që të shpallë gjendjen e emergjencës dhe të dërgojë ndihma. Sipas asaj që raportohet, tërmeti 7,1 ballë i shkallës Rihter ishte aq i fuqishëm sa është ndjerë në shtetet fqinje si Las Vegas, Nevada, madje dhe përtej kufirit amerikan, në Meksikë.

Shkarkoni aplikacionin e A2