Sezoni turistik, Lamallari: Gjoba për bizneset që nuk respektojnë detyrimet

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, lajmëroi masa të ashpra për këdo që nuk përmbush detyrimet ligjore sa i përket sezonit turistik. Gjatë një inspektimi në vijën bregdetare të Lezhës në zonën e “ranës së hedhun”, Lamallari kërkoi përmbushjen e standarteve për sigurinë e pushuesve dhe turistëve në bregdet.

“Jemi këtu për t’u siguruar që gjithçka shkon sipas pritshmërive të pushuesve dhe standardeve të kërkuara nga ligji. Aty ku nuk përmbushen si duhet kriteret e nevojshme, janë marrë masa me gjoba dhe sigurisht për rastet kur nuk zbatohet ligji dhe nga inspektorët, policia do të bëjë punën e saj për të vijuar më tej me procedimet penale”, tha Lamallari.

Gjatë inspektimit zv ministri i brendshëm u shpreh se në këtë zonë, e cila përfshin dhe plazhet e Tales, Shëngjinit dhe Kunë Vainit, janë përmbushur disa nga detyrimet thelbësore për sa i përket sigurisë së pushuesve.

“Konstatuam gjatë këtij inspektimi në këtë zonë që janë përmbushur detyrimet lidhur me kullat e vrojtimit, me personat e certifikuar në kullat e vrojtimit. Për sa i përket edhe ndarjes në ujë, bovat qëndrojnë mbi ujë për të sinjalizuar notuesit për distancën që bëhet pastaj rrezik për jetën e tyre”, shtoi zëvendësministri.

Një ditë më parë edhe drejtori për rendin dhe sigurinë në Policinë e Shtetit lajmëroi inspektimin e të gjithë vijës bregdetare shqiptare, kryesisht për nivelin e zhurmave.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN