Frikë pas tërmeteve në Kaliforni, pasojat të rënda

Pas panikut të tërmeteve të shkuara dhe mes frikës për të tjerë të paralajmëruar, banorët e komuniteteve të ndryshme në Jug të Kalifornisë, bëjnë llogaritë e dëmeve, pas shkundjes së tërmetit 7.1 ballë që tronditi godina e shkatërroi qendra të tëra banimi.

Disa prej banorëve, natën e të shtunës e kanë kaluar jashtë, me frikën e tërmeteve që do të pasojnë në vijim, teksa temperaturat vijojnë të rriten.

“Në qoftë se bie sërish tërmet, jam i frikësuar se çfarë mund të ndodhë. Nuk mendoj se ky është më vend i sigurt për të qëndruar”, tha një qytetar.

Trona është një qytezë e vogël, e goditur brenda 48 orëve nga 2 tërmete të forta. Përpos dëmtimeve në shtëpi e prona, prej të enjtes, banorët vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.

“Kemi 20 vjet në Kaliforni, është vend i qetë. Por nëna natyrë tregon se është ajo shefja”.

Nga tërmeti i të premtes, bashkë me Kaliforninë, për pothuajse 40 sekonda, toka u lëkund fuqishëm edhe në Los Anxhelos ndërsa tërmeti është ndjerë edhe zonën e plazhit në San Francisko, Reno, Nevada, Feniks dhe Arizona. Guvernatori i Kalifornisë tha se shërbimet e emergjencës kanë kaluar në nivelin më të lartë të emergjencës. Edhe pse të dëmtuara një pjesë e mirë e tyre, tashmë rrugët janë riparuar në kohë rekord dhe janë hapur për qarkullimin e automjeteve. Sizmologët thonë se tërmeti 7.1 ballë i së premtes është pasuar nga të tjerë më të lehtë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN