Përgjaket që ditën e parë festivali me dema në Pamplona

Ka nisur me të plagosur festivali i përvitshëm i vrapimit me dema në Pamplona të Spanjës. Që në ditën e parë të vrapimit nëpër rrugët e qytetit të famshëm spanjoll, 5 persona kanë mbetur të plagosur nga demat që i ndiqnin nga pas.

2 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë pasi kanë marrë goditje në kokë, ndërsa 48 persona të tjerë kanë marrë lëndime të lehta dhe janë ndihmuar nga Kryqi i Kuq. Festivali i ndryshëm ndiqet nga një numër i madh turistësh, por edhe vendasish të cilët vrapojnë për rreth 850 metra nëpër rrugica, të ndjekur nga dema të mëdhenj, shpesh herë të “inatosur”.

Të lënduarit janë të zakonshëm në këtë event i cili rrënjët e tij i ka në vitin 1910 atëherë kur u mbajt edhe vrapimi i parë. Viktima e fundit në këtë festival u shënua në vitin 2009 kur Daniel Jimeno Romero u godit nga brirët e demit në qafë.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve janë kundër mbajtjes së këtij festivali dhe kanë kërkuar shpesh herë nga autoritetet ndalimin e tij. Edhe kësaj radhe ata u mblodhën në qytetin e Pamplonës për të shfaqur kundërshtimin e tyre kundër dhunimit të kafshëve, të cilat pas vrapimit nëpër rrugët e qytetit dërgohen në arena ku përballen me toreadorë profesionistë.

Shkarkoni aplikacionin e A2