Rikthehen protestat, pas pushimit në 30 qershor, opozita sërish në rrugë

Protestues të opozitës lëshojnë lanterna me mbishkrimin “Rama ik” gjatë protestës së 25 majit. FOTO: LSA

Pas 4 muajsh në shesh, opozita nuk protestoi të dielën e 30 qershorit. Vendin e molotovëve dhe vuzuzelave, ditën e zgjedhjeve e zunë daullet.

Lulzim Basha mblodhi strukturat më të larta të PD dhe thirri të hënën protestën e radhës kombëtare. Pikërisht në ditën kur Parlamenti do të kërkojë shkarkimin e Presidentit. Protesta do të mbahet në dy stacionet tradicionale, Kryeministri dhe Parlament. Kjo është e para e pas zgjedhjeve. Veç pjesëmarrjes, në këto ditë të nxehta korriku, sfida e radhës e opozitës, është lirimi ose jo i zyrave nga kryebashkiakët e djathtë.

Lideri i opozitës, ftoi përmes një videoje që shqiptarët të bëhen bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit dhe përcolli mesazhin se nuk ka asnjë hap pas nga kërkesa për largimin e Ramës.

Me të njëjtën ftesë doli edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

“Nesër, protesta në orën 20:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka rëndësinë e saj, por nuk ka rëndësi politike sesa ka rëndësi për të treguar që shqiptarët , më shumë se kurrë, sot kanë vendosur të jenë Zot të vetes”, deklaroi Monika Kryemadhi përmes një mesazhi video.

Dy drejtuesve të opozitës, kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke cituar shprehjen e liderin e lëvizjes për të drejtat e njeriut, Martin Luther King se “Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që I bëjnë. Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen”.

Shkarkoni aplikacionin e A2