30 Qershori, Rama: Pjesëmarrja ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend pasditen e së hënës, deklaroi se “pjesëmarrja e 30 Qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri” të mazhorancës dhe shtoi se rezultati tregoi se opozita nuk ka shans që të fitojë në zgjedhjet e vitit 2021.

“Pjesëmarrja e 30 Qershorit ka tejkaluar çdo pritshmëri tonën. Kemi marrë një numër shumë më të madh votash për kandidatët, nga një garë ku gjysma e tyre nuk kishin kundërshtarë. Po të kishte qenë garë normale, me kandidatë në çdo bashki, pa diskutim që kjo përqindje do të ishte më e lartë sesa ajo e vitit 2015. Rezultati ynë e tregoi qysh sot se pse ajo opozitë nuk ka asnjë shans rikthimi te fitorja në zgjedhjet e vitit 2021”, u shpreh kreu i qeverisë.

“E pata thënë se lufta e tyre për të prishur zgjedhjet do të përfundonte me një vrimë në ujë, por kjo nuk do t’i pengonte ta konsideronin fitore të madhe. 85% e popullit refuzoi Ramën, thonë të shkretët. Janë po këta që thonë që të gjithë shqiptarët kanë ikur nga vendi”, shtoi kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu se Presidenti Ilir Meta “na e bën shumë më të lehtë pozicionin tonë në sytë e popullit sepse njerëzia e sheh tani të vërtetën e armiqësisë së tij ndaj mazhorancës qeverisëse”.

Shkarkoni aplikacionin e A2