“Greqia, jo lypëse apo një fqinj i varfër”, Demokracia e Re fiton zgjedhjet

Demokracia e re në opozitë fiton zgjedhjet e parakohshme në Greqi. Partia e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis siguroi rreth 40 përqind të votave, kundrejt 31.6 të Syriza-s së Alexis Tsipras.

Kryeministri i zgjedhur Mitsotakis u zotua se populli do ta ngre sërish kokën me krenari. Djali i ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis shtoi më tej se rezultatet i jepnin atij një mandat të fortë për ndryshim, por premtoi se do të jetë kryeministër i të gjithëve.

“Dua një Greqi të fuqishme, me vetëbesim dhe që do të pretendojë nga Evropa atë që meriton. Greqia nuk do të jetë një lypëse apo një fqinj i varfër”, tha Kyriakos Mitsotakis Kryeministër i Greqisë

Fitorja e Demokracisë sëre vjen 4 vite pasi partia e majtë e Tsipras mori pushtetin me premtimin për t’i dhënë fund programit të kursimit. Por popullariteti i Syriza-s ra ndjeshëm pasi pranoi masa të forta fiskale, në këmbim të paketave ndërkombëtare të shpëtimit. Papunësia dhe ekonomia në tkurrje cenoi edhe më tej mbështetjet për Tsipras. Mes emocioneve, kryeministri në largim pranoi humbjen.

“Me kokën lart pranojmë vendimin e popullit. Për ta çuar Greqinë aty ku është sot na është dashur të marrim vendime të vështira me kosto të lartë politike”, tha Tsipras.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 57 përqind, më e ulëta në shumë dekada.   

Shkarkoni aplikacionin e A2