Meta përsërit propozimin: Më 13 tetor zgjedhje të përgjithshme dhe për Presidentin

Në ditën kur mazhoranca pritet të mblidhet në seancë të posaçme për të votuar ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metë, Presidenti i ka bërë edhe një herë publik qëndrimin për situatën ligjore mbas 30 qershorit dhe zgjidhjen e krizës.

Kreu i shtetit thotë se 30 qershori ishte nul pas dekretit të tij për anulimin e zgjedhjeve. Te dekreti, Presidenti thekson edhe një herë se i vetmi institucion që mund të shprehet është Gjykata Kushtetuese.

“E gjithë veprimtaria zgjedhore e organizuar dhe zhvilluar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më datë 30 qershor 2019 është një proces votimesh tërësisht i paligjshëm, antikushtetues dhe që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave data 30 qershor 2019, nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Presidenti i Republikës i fton të palët të mos thellohen në rrugën e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit dhe të pranojnë 13 tetorin, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, parlamentare dhe presidenciale, por pa sqaruar, se si mund të votohet për Presidentin e ri, zgjedhje për të cilat duhet prekur Kushtetuta.

“Duke vlerësuar krizën e rëndë të përfaqësimit në vend, Presidenti i Republikës u bën thirrje të gjithë aktorëve t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës”

Më herët, Presidenti Meta përshëndeti protestën e një dite më parë të mbajtur në Uashington nga diaspora shqiptare në SHBA, duke u shprehur se Shqipëria nuk do te kthehet asnjëherë në një shtet parti. 

Shkarkoni aplikacionin e A2