Nis filtrimi i kandidatëve të SPAK, Ibrahimi: Besimi te procesi i ka shtyrë prokurorët të konkurrojnë

Është mbyllur seanca e parë e pyetjes së 4 prokurorëve kandidatë për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion. Përfaqësues të OPDAT dhe OSBE kanë marrë në pyetje 4 prokurorët e parë në garë, në lidhje me çështje konkrete dhe metodat e hetimit.

Kandidatët, Altin Dumani, Anita Bella, Anton Martinaj dhe Arben Kraja, kanë preferuar të dalin nga dera e pasme e institucionit duke shmangur pyetjen e gazetarëve. Të martën, radhën për t’u intervistuar e kanë 5 prokurorë të tjerë, mes tyre kryeprokurorja e krimeve të rënda, Donika Prela, por edhe Besim Hajdarmataj, Behar Dibra, Doloresa Musabelliu.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha gjatë intervistave, të bëra me dyer të mbyllura, ka pasur pyetje për çështje konkrete që kanë lidhje edhe me politikën, dhe ka qenë pikërisht kjo arsyeja që ato nuk janë për konsum publik. “Morëm një mendim të sinqertë nga kandidatët dhe për ne kjo është esenciale”, tha ai.

Ibrahimi shtoi se mënyra se si po përzgjidhen prokurorët për këtë njësi të re ndryshon “si nata me ditën” me mënyrën se si janë përzgjedhur prokurorët e krimeve të rënda në të kaluarën, duke vënë theksin se e gjithë procedura bëhet me praninë e ndërkombëtarëve, si dhe ndiqet një sistem pikëzimi. “Në këto kushte, besimi i tyre te procesi ishte një nga arsyet kryesore për t’i motivuar ata për të konkurruar”, tha Ibrahimi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN