Protesta e dhjetë e opozitës, Basha: Rama nuk e theu dot vullnetin e shqiptarëve

Në protestën e 10 kombëtare, demokratët nxorën në shesh edhe katërkëmbëshit. Para zyrës së Kryeministrit, në bulevard, u zhvilluan zgjedhje për largimin e tij. Fletët e votimit, me vetëm një opsion, “Rama Ik”, u vendosën në një kuti gjigande që mbante mbishkrimin “qendra e vjedhjeve”.

Por kreativiteti duket se kishte dalë duarsh me këtë pankartë, ku emri i shkruar gabim i Partisë Demokratike shkaktoi jo pak buzëqeshje.

Lulzim Basha doli nga selia me një orë vonesë, ndërsa për herë të parë në bulevard e priste një foltore. Fjalët e para e ja kushtoi 30 qershorit, për të cilin kishte garantuar mbështetësit e tij se nuk do të ndodhte.

“Më 30 Qershor refuzuam të keqen, ndëshkuam korrupsionin. 30 Qershori është referendum kundër të keqes. Ajo ditë hyri në histori si dita ku shqiptarët treguan se kanë forcën që të ndahen nga e keqja. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e Edi Ramës, refuzuan krimin dhe mungesën e shpresës. Rama nuk e theu dot vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. 30 Qershori ishte triumfi i të vërtetës mbi propagandën”, tha kreu i PD. Pas 4 muajsh protesta, Basha garantoi se asgjë nuk ka shkuar dëm, ndërsa kishte edhe një apel për socialistët.

Kryedemokrati rikujtoi edhe njëherë përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, si tregues të arsyeve pse sipas tij duhet rrëzuar Edi Rama. Përsëriti se për të zgjidhur krizën nuk do të kërkojë pazar, por ndëshkim. Ndëshkimi, tregoi Basha, duhet të nisë nga vjedhësit e votës. Sfida për largimin e Ramës do të jetë e gjatë, pohoi Basha, ndërsa shpjegoi se zgjidhja nuk do të vijë nga jashtë.

Njësoj si e kaluara, protesta e 10 kombëtare e opozitës ishte tërësisht e qetë. Ajo u mbyll me marshimin drejt Parlamentit, për t’u kthyer më pas në selinë e PD-së, ku këtë herë nuk pati një mbledhje të opozitës së bashkuar.

Çfarë ndodhi gjatë protestës së opozitës?

10:10 – Pas kalimit para godinës së Parlamentit, opozita u drejtua nga selia e Partisë Demokratike ku kreu Lulzim Basha foli përsëri para mbështetësve, duke i falënderuar për atë që kanë bërë në këto muaj dhe javë. Në mbyllje, si zakonisht, u këndua edhe Himni Kombëtar.

Menjëherë më pas, Basha ka organizuar një takim me aleatët e Partisë Demokratike në seli, për të diskutuar hapat e mëtejshëm.

21:30 – Pas fjalës së Kreut të PD, Basha, protestuesit po marshojnë drejt Parlamentit, siç është bërë zakon tashmë në të gjithë protestat e fundit të organizuara nga opozita. Pak orë më parë, aty u zhvillua seanca parlamentare ku edhe u votua ngritja e komisionit hetimor për Presidentin Meta, ndërsa Policia ka marrë masa duke rrethuar vendin me gardh.

21:10 – Basha: 30 qershori një referendum, izoluam të keqen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij para protestuesve të mbledhur në bulevardin para Kryeministrisë, shprehu mirënjohjen për aleatët dhe qytetarët që sipas tij i dhanë përgjigjen e duhur socialistëve dhe Edi Ramës. Ai e quajti 30 qershorin një referendum kundër të keqes. “Ne refuzuam të keqen, izoluam krimin”, tha Basha. “30 qershori është një monument i mrekullueshëm i lirisë. Hyri në histori si dita kombëtare e kurajës, ku shqiptarët treguan se kanë forcën të ndahen nga e keqja”. (Lexo të plotë)

21:00 – Monika Kryemadhi: Edhe 13 tetori është problematik

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste, Monika Kryemadhi foli për gazetarët ndërsa i bashkohej protestës së 10-të të opozitës së bashkuar para Kryeministrisë. Ajo u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit janë nul dhe antikushtetuese, por shtoi se edhe data 13 tetor e caktuar nga presidenti si datë e re është pak problematike pasi KQZ duhet të kishte filluar me përgatitjes duke filluar nga ngritja e KZAZ-ve. (Lexo të plotë)

20:15 – Presidenti Ilir Meta i është drejtuar protestuesve që marrin pjesë në protestën w sotme të opozitës më një mesazh postuar në Facebook, ku iu bën thirrje për të ruajtur qetësinë dhe shmangur dhunën, siç kanë bërë në javët ë fundit. (Postimi i plotë i Presidentit)

19:50 – Opozita ka paralajmëruar se gjatë protestës së sotme do të ketë edhe doza ironie në drejtim të socialistëve dhe kryeministrit Rama. Për këtë, nga selia e PD po niset drejt sheshit të protestës edhe një gomar, të cilit përfaqësues të PD i kanë veshur një “bluzë” kur shkruhet “PS 30 qershor”, si ato që mbante Rama gjatë fushatës, për të mbrojtur mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor”.

19:30 – Partia Demokratike bëhet gati për protestën e 10 kombëtare, të parën pas zgjedhjeve të kundërshtuara të 30 qershorit. Sipas PD, rreth 70 000 persona kanë ardhur nga të gjitha rrethet drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestë. Pak minuta para protestës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ka bërë thirrje shtetasve amerikanë që të qëndrojnë larg zonave ku do të ketë grumbullime.

Më herët gjatë pasdites, Kuvendi miratoi me 101 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenim ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Komisioni do të ketë 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita parlamentare. Përbërja e komisionit hetimor do të jetë: Ulsi Manja (kryetar), Alban Zeneli (nënkryetar), Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Bashkim Fino, Alket Hyseni, Adriatik Alimadhi, Alit Valteri dhe Krenar Rryçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN