Rama: Meta ka luajtur deri në fund me zjarrin. Duhet hetuar dhe ndëshkuar nga ky Kuvend

Kryeministri Edi Rama u shpreh në Kuvend se Ilir Meta “duhet hetuar dhe ndëshkuar nga ky Kuvend në emër të Kushtetutës, demokracisë parlamentare dhe dinjitetit të shtetit shqiptar”.

“Sot, është armiku i deklaruar i vetë Parlamentit të Shqipërisë. Nuk është vetëm politikani i frikësuar nga reforma në drejtësi, por na turpëron të gjithëve te ndërkombëtarët. Si mund të ketë Shqipëria në NATO një kryetar shteti që kur flet seriozisht të bën për të qeshur? Si mund të ketë një kryetar shteti që thotë se është gati të përballet me testin e shëndetit mendor? Sëmundja e vërtetë e këtij Kreu Shteti është ajo e atij personazhit të Dostojevskit që gënjen veten për të gënjyer të tjerët. Nëse Ilir Meta ia lejon vetes të ngatërrojë tërë dynjanë, ky Parlament nuk ia lejon dot vetes mbylljen e syve përballë këtij burimi destabiliteti politik”, theksoi Rama.

“Ilir Meta e ka shkelur Kushtetutën më shumë sesa një herë, duke penguar arbitrarisht apo refuzuar dekretimin e ministrave; ka cenuar autoritetin e Kuvendit duke kthyer mbrapsht ligje të miratuara nga ky Parlament. Këtë herë, Meta ka luajtur deri në fund me zjarrin. Ndërhyri brutalisht me një antidekret, një molotov zemërimi politik për të ushqyer zjarrin në fikje të protestave. Ai nxiti përhapjen e dhunës në territoret e bashkive të drejtuara nga opozita”, shtoi kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin e A2