Rrjedhja e email-eve, Trump kritikon ambasadorin britanik

Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara e përshkruan administratën e Presidentit Donald Trump si “jofunksionale”, “të ngathët” dhe “të paaftë”.

Raportimi ka ardhur nga mediat ndërkombëtare që cituan një sërë memorandumesh konfidenciale. Ky zhvillim tërboi Trumpin, i cili kritikoi ambasadorin e Britanisë së Madhe, Kim Darroch.

“Kemi pasur ulje-ngritjet tona me disa shtete, por mund të them se ambasadori nuk i shërbeu mirë Mbretërisë së Bashkuar. Ne nuk jemi fansa të mëdhenj të atij personi”, tha Trump.

Në email-e të ndryshme të dërguara qeverisë britanike, që datojnë nga viti 2017 deri më sot, Darroch tha se Trump rrezaton pasiguri dhe këshillon zyrtarët në Londër që t’i bëjnë bisedat e tyre të thjeshta dhe të hapura që të bashkëpunojnë në mënyrë efektive. Sipas “Daily Mail”, diplomati britanik shkruante në një email se besonte që “administrata Trump nuk do të bëhet ndonjëherë më normale, më e paparashikueshme dhe më e përçarë se kaq”. Gjithashtu, theksonte se zërat për zënkat me thika në Shtëpinë e Bardhë janë shumica të vërteta.

Për rrjedhjen e email-eve reagoi edhe qeveria britanike, duke i konsideruar ato si “joprofesionale, antipatriotike dhe joetike”. Sekretari i Tregtisë i Londrës, Liam Fox nënvizon se publikimi i tyre ka minuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet britanike kanë nisur dhe një hetim për të zbuluar përgjegjësit. 

Shkarkoni aplikacionin e A2