Skënderi: Më kanë vjedhur votat në Tiranë!

Arben Skënderi, kandidati i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 30 Qershorit, deklaroi në emisionin “I Ftuari” në A2 CNN se ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Tiranë janë vjedhur votat.

“Jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë është bërë kërdia. Janë kujdesur që kandidatët të mos marrin mbi 10 000 vota. Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Tiranë është futur dora në kuti”, theksoi Skënderi.

“Të gjitha garat në Shqipëri të mbjella nga ky sistem korruptiv janë të parashkruara, por më mirë të futesh në garë. Tirana ka specifikat e veta dhe ky aparat i madh propagandistik i kishte vendosur bateritë në Tiranë. Erjon Veliaj bëri garë politike, nuk dha llogari te banorët për premtimet që kishte bërë. Ai fliste si kryeministër nëpër takime. Banorët e Tiranës reaguan me revoltë në votime, kishte shumë vota të pavlefshme. Votën e besimit Veliaj nuk e ka marrë, por ka marrë 13 000 vota ndëshkimi, irritimi ose revolte (votat e pavlefshme). Votat e mia kanë qenë të shtresës gri”, shtoi Skënderi.

Ndërkohë, Fabian Topollaj, i bordit përfaqësues të Bindjes Demokratike, deklaroi: “Besojmë që e vetmja mënyrë për të marrë pushtetin është konkurrenca dhe nuk mund të jetë zgjidhja që ta lësh terrenin bosh dhe të lejosh kundërshtarin që të marrë të gjitha bashkitë. Ajo që po ndodh sot legjitimon atë që ka bërë Bindja Demokratike. BD u krijua edhe për të korrigjuar gabimin e rëndë që bëri opozita për të mos hyrë në zgjedhje. Në zgjedhje nuk hyhet vetëm për të fituar, por edhe për të përfaqësuar”.

Në lidhje me raportin e OSBE-ODIHR, ku thuhet se KQZ e regjistroi Bindjen Demokratike si subjekt zgjedhor në 27 prill, ndonëse kjo e fundit ishte regjistruar si parti në 25 prill, Topollaj tha: “Gjykata ka marrë 3 ditë për verifikimin e firmave të BD dhe në datë 27 KQZ ka gjykuar të gjithë listën e dokumentave dhe e ka regjistruar bashkërisht me parti të tjera”.

Shkarkoni aplikacionin e A2