Bie besimi në ekonomi, bizneset dhe qytetarët pesimistë

Besimi i biznesit dhe konsumatorëve në ekonominë e vendit ka rënë, duke i bërë ata më pesimistë dhe të pasigurt për të shpenzuar. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë ekonomike ra me 0,7 pikë gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke reflektuar situatën e tensionuar politike dhe ecurinë e përgjithshme të dobët të ekonomisë.

Besimi tek tregtarët duket se është i lidhur me atë të konsumatorëve. Të dy paraqiten në rënie, edhe pse më e theksuar tek individët. Tregtia është aktualisht i vetmi sektor i sipërmarrjes që këtë tregues e ka nën mesataren historike, për shkak të ecurisë së dobët të biznesit. Ndërsa konsumatorët e lidhin rënien e besimit me gjendjen financiare, që e vlerësojnë të përkeqësuar, së bashku me pritshmëritë për të ardhmen.

Sektori i industrisë, ku bazohet pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare, ka humbjen më të madhe të besimit, për shkak të rënies së prodhimit dhe të kontratave porositëse. Ndërkohë, pavarësisht bumit të lejeve, edhe sektori i ndërtimit është më pesimist, pasojë e gjendjes financiare, uljes së punësimit dhe kontratave porositëse.

Ndër sipërmarrjet, përjashtim bën vetëm sektori i shërbimeve, me besim në rritje për të dytin tremujor radhazi. Kërkesa dhe ecuria e biznesit ka qenë më e mirë për këto biznese, pavarësisht krijimit të më pak vendeve të reja të punës dhe gjendjes financiare më të dobët.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN