Corbyn pro qëndrimit në BE, laburistët kërkojnë referendum të ri për Brexit

Jeremy Corbyn sfidon liderin e ardhshëm konservator me mbajtjen e një referendumi tjetër përpara se Britania të largohet nga Bashkimi Europian. Ai nënvizon se Partia e tij Laburiste do të bëjë fushatë pro qëndrimin në BE. Corbyn thotë se ky vendim është ndërmarrë për të ndaluar daljen pa ujdi ose një Brexit të dëmshëm konservator. Por ai nuk zbulon se çfarë do të bëjë nëse fiton zgjedhjet e përgjithshme dhe nëse do të ishte vendosur në krye të procesit Brexit. Disa anëtarë të ekipit të tij dëshirojnë që Corbyn të mbajë një pozicion pro qëndrimit të Britanisë në BE në çdo rrethanë.

“Kushdo që bëhet kryeministër i ri duhet ta vendosë ujdinë e tij apo opsionin pa marrëveshje tek populli në një votim publik. Në ato rrethana, dua të bëj të qartë se Partia Laburiste do të bëjë fushatë pro qëndrimit në BE dhe kundër largimit pa ujdi ose marrëveshjes konservatore që nuk mbron ekonominë dhe vendet e punës”, deklaroi lideri i Laburistëve, Jeremy Corbyn.

Kjo është një lëvizje e Corbyn për ta shndërruar Partinë Laburiste në një forcë që mbështet hapur qëndrimin në BE, në një parlament që duket se po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ndër të tjera, ai thekson se do të punojë për të bashkuar sërish vendin.

Ky propozim i Laburistëve vështirë se do të pranohet nga Boris Jonson apo Jeremy Hunt, dy kandidatët kryesorë për kryeministër, pasi ata mbështesin largimin e Britanisë nga BE dhe jo qëndrimin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN