Megaoperacion i EUROPOL, sekuestrohen 3,8 mln € ilaçe false

Një megaoperacion i shtrirë në dhjetëra shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, është kryer përgjatë këtyre ditëve nga EUROPOL, ku janë shkatërruar 17 grupe kriminale të përfshira në trafikimin e ilaçeve të falsifikuara dhe materialeve të dopingut.

Operacioni i koduar “Viribus”, me bashkëkryesues palën greke, është më i madhi i këtij lloji, ku janë konfiskuar 3,8 milionë euro ilaçe për doping dhe medikamente të falsifikuara (konfiskimet përfshijnë substanca dopingu, shtesat dietike), me vlerë 1 milionë euro, ndërsa janë zbuluar 9 laboratorë, ku përpunoheshin këto ilaçe, njëri prej të cilëve ishte në Itali. Në Shqipëri, nga specialistët e antigrogës u sekuestruan 175 kg morfinë, ketaminë, ekstazi, metadon etj.

Në total janë hetuar 1 mijë persona, 234 të dyshuar janë arrestuar dhe u hapën 839 raste gjyqësore. Trafikantët merrnin steroide, kryesisht nga Azia ose Europa Lindore dhe pas përpunimit në laboratorë, i trafikonin ato në palestra. Në njoftimin zyrtar të EUROPOL bëhet me dije se në operacionin “Viribus” morën pjesë 23 shtete të Bashkimit Europian, si dhe 10 vende të treta si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kolumbia, Islanda, Maqedonia Veriore, Moldavia, Mali i Zi, Zvicra, Ukraina dhe SHBA.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN