Meta kritikon Bosnjën: Të njohë Kosovën. Reagon Brnabic: Nuk jemi këtu për provokime

Presidenti Ilir Meta ka kritikuar Bosnje-Hercegovinën si vend pritës i samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, ku mungon Kosova pasi Presidenti Hashim Thaçi refuzoi ftesën e bërë nga homologu boshnjak Milorad Dodik.

Meta vuri në dukje se pikërisht mungesa e Kosovës në këtë samit është tregues i sfidave që ka rajoni, që kërkon të integrohet në Bashkimin Europian.

“Një seri sfidash bilaterale dhe rajonale pengojnë ecurinë e rajonit në Bashkimin Europian. Në këtë pikëpamje dua të shpreh të gjithë keqardhjen time që Republika e Kosovës, kryesuesja e radhës, është detyruar që të mos marrë pjesë në këtë samit”, tha Meta.

“Si mund të pretendojmë që të kemi bashkëpunim efikas kur disa prej pjesëmarrësve bëjnë gjithçka munden që të përjashtojnë popuj të tërë dhe një vend anëtar nga përfitimi prej bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale, në fusha të rëndësishme si siguria, edukimi dhe kultura?

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti reciprok janë thelbësore për një bashkëpunim rajonal efikas, për sigurinë dhe prosperitetin ekonomik për të gjithë ne. Për këtë arsye, tani është koha e duhur që Bosnje-Hercegovina, por jo vetëm, të ecë përpara me njohjen e realitetit. Republika e Kosovës është një vend i pavarur dhe Sovran dhe duhet trajtuar me respekt, në radhë të para e sidomos, prej fqinjëve të saj”, shtoi Presidenti.

Meta zgjodhi të marrë pjesë në samit, ndryshe nga sa vendosi të bënte ministri i Jashtëm Gent Cakaj, i cili refzoi publikisht ftesën në shenjë solidariteti me Kosovën.

Reagon Kryeministrja e Serbisë

Pas fjalës së Presidentit ka reaguar Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, e cila ka kërkuar që Meta të përmbahet dhe të mos provokojë. “Nuk besoj se takimet rajonale janë për të shpalosur deklarata politike. Ai e di formatin e takimit”, citohet të ketë thënë Brnabic për mediat serbe. Vetë samiti nuk e njeh Republikën e Kosovës, por as Bosnje-Hercegovina si shtet. Kemi ardhur këtu për të diskutuar mbi bashkëpunimin dhe jo të bëjmë provokime personale”.

Shkarkoni aplikacionin e A2