Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Mitsotakis fillon mandatin: Puna e vështirë nis sot

Nga A2 CNN
9 Korrik 2019, 12:53 | Ballkani
Mitsotakis fillon mandatin: Puna e vështirë nis sot

Lideri i Demokracisë së Re në Greqi, Kyriakos Mitsotakis nisi zyrtarisht mandatin e kryeministrit pas fitores së thellë në zgjedhjet e parakohshme.

Ai arriti të bindë 40% të votuesve që të mbështesnin një platformë me investime, ulje taksash dhe krijim të vendeve të punës. 51-vjeçari u betua në një ceremoni të drejtuar nga Kryepeshkopi Jeronimos dhe presidenti Prokopis Pavlopulos. Mitsotakis, pasi mori 158 deputetë në parlamentin 300 vendesh, premton se do të jetë kryeministri i të gjithë grekëve.

“Populli na dha një mandat të fuqishëm për të ndryshuar Greqinë. Ne do ta nderojmë plotësisht këtë mandate. Nga sot, nis puna e vështirë. Kam besim të plotë në kapacitetet tona dhe do të jemi në lartësinë e duhur”, tha Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

Ndërsa më pas u prit nga Aleksis Tsipras, i cili i liroi zyrën e kryeministrit në Athinë. Me buzëqeshje dhe shtrëngim duarsh, lideri i Syriza-s u largua nga Pallati Maksimos. Ndërkohë, Mitsotakis prezantoi dhe kabinetin e tij të ri. Ajo që bie në sy është një kabinet i dominuar nga gjinia mashkullore dhe lideri i Demokracisë së Re duket se i ka besuar ndihmësve të tij më të afërt. Zëvendëskryeministër do të jetë Panagiotis Pikrmmenos; Financat greke do të drejtohen nga Christos Staikouras, ndërsa Punët e Jashtme do të kryesohen nga Nikos Dendias, me të cilin Shqipëria do të ketë shumë të bëjë pasi është përgjegjësi që do të negociojë zgjidhjen e çështjeve të mbetyra pezull mes dy shteteve. Dendias është një deputet i zgjedhur në zonën e Korfuzit.

A2 CNN Livestream

Dita jonë