Opozita kërkesë KQZ: Duam materialet zgjedhore

Partitë e opozitës së bashkuar kanë hedhur një hap tjetër për të faktuar pretendimet e tyre për manipulim të rezultatit në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Përmes një kërkese zyrtare, partitë e opozitës i kanë kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’iu verë në dispozicion materialet zgjedhore, bazuar në Kodin e Procedurës Administrative dhe Ligjit për të Drejtën e Informimit.

Sipas opozitës së bashkuar, materialet zgjedhore nuk janë sekret dhe duhet t’iu vihen në dispozicion brenda 10 ditësh.

Kërkesa drejtuar KQZ është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe përfshin 8 elementë:

Kopje të printuara të listave zgjedhore për çdo qendër votimi.

Kopje e vërtetuar e Tabelës Përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore nga KQZ-ja.

Kopje të vërtetuara të Tabelave Përmbledhëse të rezultateve zgjedhore për çdo njësi të qeverisjes vendore nga KZAZ-ja.

Kopje të vërtetuara të tabelave të rezultateve për çdo qendër votimi nga grupet e numërimit.

Kopje të vërtetuara të procesverbaleve tip për mbylljen e votimit për qendër votimi.

Kopje të vërtetuara të listës së anëtarëve të administratës zgjedhore, të emëruar kryesisht nga KQZ dhe KZAZ përkatëse, duke specifikuar për secilin administratën zgjedhore në të cilën ai bën pjesë, sipas regjistrit të administrimit zgjedhor që mban KQZ-ja, për çdo qendër votimi, KZAZ dhe Grup Numërimi.

Kopje të regjistrimit të kamerave të të gjitha tavolinave të numërimit në çdo Grup të Numërimit të Votave.

Kopje të regjistrimit të kamerave të ambienteve të brendshme të KZAZ-ve

Shkarkoni aplikacionin e A2