Qeveria e re greke nis punën: Veto Maqedonisë Veriore në BE

Kabineti i sapoformuar i kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis u betua në një ceremoni të zhvilluar në pallatin presidencial në Athinë. Pasi morën bekimin e Kryepeshkopit Jeronimo, ministrat e rinj dhe zëvendësit e tyre nisën menjëherë punën.

Demokracia e Re fitoi 158 deputetë në parlamentin 300 vendësh dhe erdhi në pushtet me premtimet për rritje investimesh, hapje të vendeve të reja të punës, ulje të taksave dhe rrëzimin e marrëveshjes për emrin me Maqedoninë Veriore. Duket se ekzekutivi i ri grek, është i përkushtuar seriozisht në këtë çështje, që mund t’i kushtojë Shkupit çeljen e negociatave.

“Marr detyrën mes ndjeshmërisë në rritje për shkak të marrëveshjes së papranueshme të Prespës. Ne do të përdorim veto në Bashkimin Europian për të reduktuar efektet e ujdisë”, u shpreh zv/ministri për Maqedoninë dhe Trakën, Theodoros Karaoglou.

Të njëjtin paralajmërim mori dhe Shqipëria gjatë periudhës së fushatës, me vetë liderin e Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis që kërcënonte të ndalonte procesin e integrimin me vendosjen e vetos nëse Tirana nuk do të respektonte të drejtat e minoritetit grek. Megjithatë qeveria e re ende nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, për të cilën duhet pritur muaji tetor.

Për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe çështjet e mbetura pezull, Shqipëria do të negociojë me ministrin e jashtëm të ri grek, Nikos Dendias, i cili është deputet i zgjedhur në zonën e Korfuzit. Ndërsa për rimëkëmbjen e ekonomisë greke do të merret Christos Staikouras, i cili u betua si ministër financash. 46-vjeçari ka shërbyer si koordinator për punët ekonomike të Demokracisë së re dhe deputet që prej vitit 2007.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN