Vrasja e Gramoz Nakos, gjendet i vetëvrarë edhe kunati i viktimës

Majtas Gramoz Nako, djathtas Sefedin Zenellari

Duket se vrasja e emigrantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 57-vjeçarit Gramoz Nako, mbrëmjen e së hënës në qytetin e Korçës, është mbyllur me një tjetër ngjarje të rëndë, por kësaj radhe vetëvrasje.

Mëngjesin e së martës, policia ka gjetur të vetëvrarë me armë zjarri në banesën e tij, 71-vjeçarin Sefedin Zenellari, që është burri i motrës së viktimës Gramoz Nako.

Akti i vetëvrasjes ka ndodhur kur policia shkoi në banesën e Zenellarit, për ta marrë në pyetje pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e kunatit të tij një natë më parë. Por 71-vjeçari nuk ka duruar të japë sqarime para grupit hetimor për këtë ngjarje duke i dhënë fund jetës nëpërmjet vetëvrasjes.

Ndërhyrja e policisë edhe pse e shpejtë duket se nuk e ka mbajtur dot në jetë të moshuarin. Ky akt duket se ka përforcuar akoma më shumë dyshimet e policisë së emigranti Gramoz Nako mund të jetë vrarë nga kunati i tij Sefedin Zenellari, i cili vrau veten pa rënë në duart e policisë dhe pa sqaruar pozicionin e tij.

Gjithsesi grupi hetimor po vijon hetimet me pyetjen e familjarëve të tjerë për të kuptuar mbi motivet e këtyre dy ngjarjeve të rënda që tronditen qytetin juglindor të Korçës brenda disa orëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2