Drejtuesit e Partizanit, Demi dhe Rama: Besojmë te kualifikimi

Drejtuesit e Partizanit dhanë një konferencë për shtyp pas përfundimit të ndeshjes së parë eliminatore të Champions League që ekipi i tyre zhvilloi kundër Qarabag, e cila përfundoi në rezultatin e bardhë 0-0.

Presidenti i “të kuqve”, Gaz Demi vlerësoi paraqitjen e lojtarëve në këtë ndeshje dhe shtoi se kualifikimi për në raundin e dytë është i mundshëm. Gjithashtu Demi foli dhe për trajnerin italian Lerda për të cilin tha se duhet ende kohë për ta vlerësuar.

“Ishte ndeshje e bukur. Ne patëm rastet tona, por nuk shënuam. Gjithsesi, rezultati ishte i mirë, rritemi në koefiçent. Kualifikimi? Është i hapur, nuk është ndonjë gjë. E mbani mend Ferencvaroshin? Madje ata na bënë dhe gol këtu. Ka kohë për të vlerësuar paraqitjen e trajnerit, por mirë ishte” përfundoi presidenti Demi.

Edhe drejtori sportiv i “Demave të Kuq”, Olsi Rama vlerësoi lojtarët për ndeshjen e zhvilluar dhe shtoi se një nga problemet e ekipit në këtë takim ishte mungesa e formës. Sipas tij nuk ka një çështje “Trashi” në ekip, por nëse lojtari do të shkojë në një skuadër tjetër, Partizani duhet të përfitojë nga ky transferim.

“Nga ky takim i sotëm, morëm disa përgjigje të mirë. Tani vërtetë kemi vetëm një ndeshje. Do të kemi një javë më shumë stërvitje, Brown dhe Bro do të njihen me ekipin. Salomon ende nuk është në 100%, një javë na ndihmon shumë. Do të jemi më të gatshëm për të surprizuar atje. Trashi? Është një lojtar që unë e dua shumë, gjithmonë ka sjellë cilësi te Partizani. Nuk ka çështje “Trashi”, këtu luan ai që i përshtatet më shumë trajnerit. Lerda preferoi Hakajn, që është më i mirë në fazën mbrojtëse. Po ta shikonit, Trashi përqafoi trajnerin në fund të ndeshjes, kështu që nuk ka asnjë çështje. Nëse Trashi do të shkojë diku tjetër për të vazhduar karrierën e tij, do të largohet me kushtet e duhura, pasi Partizani duhet të përfitojë nga transferimi i tij. Ne shpresojmë që Trashi të jetë transferta e parë e suksesshme e drejtimit tim te Partizani”, mbylli deklaratën Olsi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2