Fuga për reformën në Akademi: Synoj rinovimin, varianti i Gjinushit i dështuar

Reforma në Akademinë e Shkencave rikthen debatin në Komisionin e Edukimit. Akademiku Artan Fuga, i thirrur në seancë dëgjimore ka renditur edhe para deputetëve kritikat për variantin e Skënder Gjinushit. Fuga tha se drafti bie ndesh me ligjin e Arsimit të Lartë, ndërsa kërkoi ngritjen e një komision hetimor parlamentar për verifikimin e fondeve të Akademisë së Shkencave.

“Është një projektligj i dështuar edhe si frymë edhe si parim edhe si mision. Kam kërkuar kontroll nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe organizma të tjera. Janë këtu dhe iu kërkoj të ngrini një komision parlamentar për të parë se çfarë bëhet me paratë publikë në Akademinë e Shkencave”, deklaroi Artan Fuga

Akademiku Fuga kritikoi Ministrinë e Arsimit se nuk ka marrë në shqyrtim asnjë nga propozimet e draftit të tij për reformën në Akademi.  Artan Fuga tha se synon rinovimin e Akademisë ndërsa sqaroi se nuk ka asnjë ambicie për drejtimin e këtij institucioni.

“Nuk kam asnjë interes personal në këtë që po them. Kam bërë deklaratë publike që unë nuk do të kandidoja për vendin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave për sa kohë që kisha marrë përsipër një perspektivë për reformimin e saj”, shtoi akademiku.

Për herë të parë ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka pranuar kritikat e akademikut Fuga si dhe censurimin që i është bërë draftit të tij nga Akademia e Shkencave. 
Më herët, në Komisionin e Edukimit, drejtues të universiteteve publike shprehën kritikat për projektligjin e qeverisë, veçanërisht në pikat ku Akademia e Shkencave ndërhyn për të vlerësuar kërkimin shkencor të shkollave të larta. 

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN