Kërkesa e PD për hapjen e kutive, Kaso: S’ka analogji me vitin 2009. Kërkesa jonë, legjitime

Një dekadë pasi Edi Rama, atëherë në opozitë, i kërkonte Sali Berishës “hap kutitë ose largohu”, janë demokratët që kërkojnë hapjen e materialeve zgjedhore për të faktuar se zgjedhjet u manipuluan.

Përballë zërave që flasin për një lëvizje të njëjtë të PD-së me socialistët, Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso këmbëngul se nuk ka vend për paralelizëm.

“Në atë kohë, Rama hodhi dyshime mbi të gjithë komisionerët e tij. Ai tha që të 20 mijë komisionerët e mi i bleu Berisha. Ishte një betejë e Ramës me komisionerët e tij”, tha Kaso, i cili mohon se me këtë lëvizje PD-ja ka njohur 30 Qershorin dhe thekson se edhe për 13 Tetorin do të jenë strukturat drejtuese që do të vendosin.

“30 Qershori ligjërisht nuk ekziston, në kushtet që kemi një datë të dekretuar dhe në fuqi, që është 13 Tetori. Por, me forcën dhe me dhunën e kartonit është bërë fakt farsa e datës 30 Qershor”, deklaroi Kaso.

Ai shprehet optimist se KQZ-ja do ta pranojë kërkesën: “Në cilësinë tonë si partia më e madhe e opozitës, si subjekt që kemi përfaqësues të përhershëm pranë KQZ-së, kemi të drejtë të njihemi me çfarëdolloj dokumentacioni që kalon në mbledhjet e KQZ”.

Një ditë më parë, përmes një kërkese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, partitë e koalicionit opozitar i kërkuan Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’u vërë në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore të 30 Qershorit, nga listat e votuesve tek tabelat përmbledhëse të rezultateve zgjedhore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN