Opozita kërkon “kutitë”, Krasniqi: Të hapen të gjitha materialet, edhe të zgjedhjeve të shkuara

Analisti i A2 CNN, Afrim Krasniqi, në Ditarin e orës 13:00, foli për kërkesën e bërë nga partitë e opozitës në KQZ që t’iu verë në dispozicion materialet zgjedhore, bazuar në Kodin e Procedurës Administrative dhe Ligjit për të Drejtën e Informimit.

Krasniqi sqaron nëse kjo kërkesë është e ligjshme dhe nëse KQZ-së i lejohet të japë këto materiale. Ai thotë më tej se më shumë se kurrë, Shqipëria kë nevojë për transparencë, por jo në funksion të partive politike.

“Së pari, është mirë që opozita i adresohet KQZ-së, pasi kjo do të thotë se kërkon të ndjekë rrugën institucionale për zgjidhjen e konfliktit dhe problematikave të saj në lidhje me pretendimet për zgjedhjet.

Së dyti, ligji është i ndarë në dy aspekte, në aspektin e asaj që quhet dokumentacion zgjedhor dhe asaj që quhet pronë e KQZ, që lidhet me brendësinë e kutive. I gjithë materiale që lidhet me dokumentacionin zgjedhor, ku ndodhen edhe shumica e elementeve që kërkohen nga opozita, zyrtarisht KQZ, në rastin më të keq, është i detyruar t’i adresojë dhe më pas 3 muajve t’i depozitojë në arkivën e shtetit dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i marrë. Problemi është se sa i gatshëm është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të treguar një vullnet politik që shkon përtej kësaj praktike. Një vendimmarrje pro opozitës, do të ishte një lajm që KQZ ka mësuar nga situata paradoksale, ku ajo u ndodh në zgjedhjet e fundit.

Nëse KQZ do të lexojë vetëm Kodin Zgjedhor dhe jo ligjin për të Drejtën e Informimit, atëherë do të konsiderojë PD-në si një subjekt që nuk ka qenë në zgjedhje dhe në mënyrë automatike do të ndjekë një praktikë përjashtimi, ashtu siç ndodhi në rastin kur ajo kërkoi përfaqësi me komisionerë. Së dyti, është edhe aspekt teknik. Unë vura re që letra e publikuar në media përmban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, por bëhen në emër të gjashtë subjekteve të opozitës. Në kërkesë duhet të ishin firmat e të gjithëve, ose sekretari i përgjithshëm për PD-në. E njëjta kërkesë është bërë edhe nga kryetarja e bashkisë së Shkodrës dhe kjo është një gjetje shumë pozitive e stafit të saj. Individi interesohet për qytetin dhe ka të drejtë të kërkojë materiale mbi qytetin e tij.

KQZ përfaqësohet nga individë të cilët, siç duket, kanë ngarkesë të lartë politike dhe administruan këto zgjedhje. Deri diku, ata kanë një vullnet politik jo drejt transparencës. E vërteta është se Shqipëria ka nevojë për transparencë dhe kjo duhet bërë tani, por jo në funksion të politikës së ditës, por për një kompromis shumë të gjatë. Të hapen të gjitha materialet zgjedhore të tanishme, por edhe të periudhës kur ka qeverisur PD-ja dhe nëse gjenden shkelje, të gjitha palët të marrin një mësim të mirë. Përfundimisht Shqipëria të krijojë një strukturë që të na ndajë nga kjo mënyrë e trafikimit të votave”, tha Krasniqi.

Por a duhet ta presim këtë provë nga KQZ?

“Unë jam skeptik që KQZ ka pavarësi të tillë, integritet të tillë dhe aftësi të tillë dhe profesionale për të dhënë një përgjigje pozitive. Në shumicën e akteve të tij nuk ka qenë transparent dhe nuk pres të jetë transparent brenda kutive të votimit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN