Shkarkimi i Presidentit, sot nis puna e komisionit hetimor

Sot, komsioni hetimor për shkarkimin e Presidentit zhvillon mbledhjen e parë.

Përveç ndarjes së detyrave e caktimit të sekretariatit dhe një ose dy mbledhjeve që mund të bëhen gjatë këtij muaji, duket se hetimi do t’i lihet në dorë ekspertëve. Këta të fundit do të mbledhin informacion, ndërsa deputetët do të jenë me pushime gjatë gushtit, për t’iu rikthyer betejës politike për shkarkimin e Presidentit në muajin shtator.

Por, sipas juristit Jordan Daci, gjetjet janë paracaktuar: “Në radhë të parë nuk ka bazë as për të ngritur as komision, jo më për të hetuar. Vetë me ato çfarë pretendon komisioni vërtetohet se nuk ka shkelje kushtetuese. Si mund të quhet shkelje e rëndë kushtetuese nxjerrja e një akti që nuk është akt kushtetues dhe mbi të gjitha nuk ka sjellë asnjë pasojë. Duket sikur ata kanë arritur një konkluzion pa nisur hetimi. Hetimi do të jetë krejtësisht formal dhe jam i sigurtë që Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë këtë vendim”.

Ndërsa nëkryetari i komisionit, Alban Zeneli sqaron se do të shfrytëzohet e tërë koha 3-mujore në dispozicion për të kryer hetimin: “Gjithçka që përmban objekti i hetimit do të hetohet. Koha e marrë në dispozicion do të jetë 3 muaj”.

Duke iu referuar rregullores së Kuvendit, komisioni është i detyruar të thërrasë dhe të dëgjojë mendimin e Presidentit. Gjetjet e hetimit i kalojnë Kuvendit nëpërmjet një raporti dhe brenda 20 ditëve zhvillohet seanca plenare ku votohet shkarkimi me minimalisht 94 vota.

5 ditë pas këtij votimi, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për shkarkimin e kreut të shtetit. 

Shkarkoni aplikacionin e A2