Zaganjori për deklarimet e pasurisë: Kam paraqitur 10 dokumente të reja, ndonjëherë kalohen caqet e mundshme

Në seancën e së mërkurës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, paraqiti 10 prova të reja për të bindur gjyqtarët e shkallës së dytë të vetting-ut në pastërtinë e pasurisë së tij.  Në këtë përballje gjyqësore, Zaganjori është kundër Komisionerit Publik, i cili kërkon shkarkimin e tij nga detyra për shkak të problemeve me pasurinë.

Mes dokumenteve të paraqitura ishte një korrespondencë mes tij dhe përfaqësuesve të “British Council” për mënyrën e pagesës së qirasë disavjeçare në një prej pronave të tij. Zaganjori këmbënguli për ligjshmërinë e parave të përdorura për shkollimin e dy fëmijëve jashtë vendit, si edhe për pasuritë e tij të patundshme në Tiranë e Durrës.

“Kam paraqitur 10 dokumente të reja, trupi gjykues është tërhequr për t’i shqyrtuar. Unë përpiqem të bëj më të mirën për të gjetur këto dokumente, sigurisht që ndonjëherë kalojnë edhe caqet e mundshme për të gjetur atë që kërkohet, por brenda mundësive unë përpiqem. Se sa do të merren parasysh, kjo varet nga vlerësimi i Kolegjit të Apelimit”, tha Zaganjori pas seancws.

Nga ana tjetër, Florian Ballhysa, përfaqësuesi i Komisionerit Publik, institucioni që përfaqëson publikun në procesin e vetting-ut, theksoi se provat e kryegjyqtarit të Lartë nuk ndryshonin situatën dhe se ai nuk mund të dokumentonte gjithë pasuritë e tij.

Komisioneri vlerësoi se “të gjitha shkaqet e ankimit duhet të merren në shqyrtim, pasi ka pasaktësi në vlerën e pasurive dhe burimin e të ardhurave për krijimin e tyre, dhe 23 provat shtesë të paraqitura nga Zaganjori, ndër të tjera një deklaratë noteriale e 4 bashkëpronarëve dhe bashkëshorteve të tyre ku deklarohet fakti se 4 çiftet kanë kontribuar në ndërtimin e një godine me 5 kate, nuk përbëjnë ndonjë vlerë të shtuar, pasi subjekti nuk ka arritur të dokumentojë vlerën e ndërtimit të godinës, ode vlerat e përfituara nga qiraja me British Council dhe pagimet e taksave. Ballhysa shtoi se Zaganjori nuk arrin ndërkohë të justifikojë “me burime të ligjshme kursimet dhe shpenzimet e kryera për shkollimin e të birit në Gjermani”.

Kolegji administroi provat dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor, duke caktuar datën 17 korrik për seancën e radhës, ku do të dëgjohen konkluzionet përfundimtare të palëve. 

Shkarkoni aplikacionin e A2