Bardhi: “Shkarkimi” i Presidentit, telenovela verore e Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi “një telenovelë verore” iniciativën e mazhorancës socialiste për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

“Për të mbuluar vjedhjen e shqiptarëve, vjedhjen e votës, vjedhjen e taksave, vjedhjen e pasurive, Edi Rama ka nisur shfaqjen për herë të parë të telenovelës “Parlamenti i krimit kundër Presidentit”, ku vetë është regjisor, vetë skenarist, vetë producent, vetë aktor. Edi Rama e ka të qartë se telenovela me shkarkim Presidenti është vetëm nje sajesë vere dhe abuzim me fondet publike. Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur në një sistem demokratik dhe pluralist”, deklaroi Bardhi.

“Duke shfaqur telenovelën bajate, me aktorë kryesorë personazhet e dosjeve 184 dhe 339 të blerjes së zgjedhjeve me krimin, Edi Rama do që të mos flitet për krimet e tij ndaj shqiptarëve; Do që të mos flitet për tarifën e re për karburantin; Do që të mos flitet për koncesionin e ri 250 milionë euro të Milot Balldre; Do që të mos flitet për mungesën nga korrupsioni të rreth 60 milionë eurove në 6 muaj nga doganat dhe tatimet; Do që të mos flitet për borxhin e lartë publik, të fshehur tek PPP-të; Do që të mos flitet për kapjen e drejtësisë; Do që të mos flitet për lidhjet e tij direkte me krimin e organizuar; Do që të mos flitet për dështimin e tij në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe mbi të gjitha, do që të mos flitet për refuzimin plebishitar që 85% e shqiptarëve i bënë regjimit të tij, për ndryshimin që duan shqiptarët”, shtoi Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN