Celibashi: Kërkesa për materialet zgjedhore, legjitime. KQZ duhet ta pranojë

Ish-kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi nuk mendon se komisioni mund ta refuzojë kërkesën e opozitës për dorëzimin e materialeve zgjedhore të 30 Qershorit.

“Besoj që kjo kërkesë është në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe mendoj se KQZ-ja do ta plotësojë këtë kërkesë”, deklaroi Celibashi.

Partia Demokratike nuk është subjekt garues në këto zgjedhje. A mund të shfrytëzohet kjo nga KQZ-ja për të mos pranuar kërkesën?

“Gjithë ai dokumentacion i cili zotërohet nga KQV, KZAZ dhe nga KQZ, i gjendur jashtë kutive të materialeve të votimit, është i disponueshëm për këdo palë të interesuar, pavarësisht nëse ka marrë pjesë ose jo në zgjedhje”, shpjegon Celibashi.

Kur kanë kaluar gati 2 javë nga mbajtja e procesit zgjedhor, KQZ ende nuk ka shpallur rezultatin. Për të shmangur vonesat, Celibashi propozon rishikim të ligjit zgjedhor: “Votimi elektronik dhe numërimi elektronik mund të ishte një zgjidhje, por ndoshta edhe kthimi te numërimi dhe nxjerrja e rezultatit në çdo qendër votimi”.

PD dy ditë më parë i kërkoi vënien në dispozicion të materialeve zgjedhore, nnga lista e zgjedhësve tek kopjet e vërtetuara të tabelave të rezultateve në çdo qendër votimi, përmes të cilave synon të vërtetojë atë që e quan manipulim të procesit zgjedhor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN