Deklaratat për ndryshime kufijsh, Thaçi: Zaev kërkoi falje, u bazua në thashetheme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka kërkuar falje në lidhje me deklaratën se presidentët e Kosovës dhe Serbisë janë përfshirë në negociata për ndarje e shkëmbim territoresh.  Në bisedën telefonike me dy mashtruesit rusë, që u shtirën si ish-Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko e Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, flitet edhe për ndarjen e Kosovës.

“Unë mbrëmë kam zhvilluar një bisedë telefonike, rreth 20 minuta, me kryeministrin Zaev. Ai më ka telefonuar për t’u sqaruar për atë që ai ka biseduar me njerëzit që e kanë thirrur. Më ka thënë shumë qartë se kjo ka qenë një rrethanë, në të cilën ka rënë pre e mashtrimit”, u shpreh Hashim Thaçi.

Në bisedën telefonike me humoristët rusë, të publikuar në Youtube, Zaev tregon se si Thaçi është pajtuar që komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, t’i takojnë Serbisë. Por për Thaçin, konstatimet bazohen në thashetheme.

“Për ato që ka thënë se gjoja dhjetë komuna do t’i jepen Serbisë, ai ka treguar se i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës Sputnik dhe thashethemet ruse. Këto janë fjalët që mua mi ka thënë Zaev. Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë, as informacion zyrtar për atë që ka deklaruar, por të gjitha janë të bazuara në thashetheme”, deklaroi Presidenti i Kosovës.

Thaçi shtoi se komedianët rus kishin tentuar të zhvillonin një bisedë telefonike edhe me të para shtatë muajsh.

Shkarkoni aplikacionin e A2