Kriza politike, Meta: Respektimi i votës së lirë, i vetmi ilaç që shëron vendin

Presidenti Meta nuk shfaq asnjë tërheqje nga qëndrimi i tij. “Respektimi i votës së lirë është i vetmi ilaç që shëron krizën”, ishte pohimi i Kreut të Shtetit, gjatë një takimi që zhvilloi me delegacionin e Komitetit Hebreo-Amerikan.

Përmes një njoftimi për shtyp, Presidenca bëri të ditur se Ilir Meta njohu delegacionin me situatën aktuale në Shqipëri, atë që e cilëson si krizë të rëndë kushtetuese dhe institucionale.

“I vetmi ilaç që shëron vendin nga kjo krizë e thellë përfaqësimi dhe legjitimiteti është vetëm respektimi i votës së lirë dhe direkte të të gjithë qytetarëve shqiptarë, dhe pranimi i verdiktit të tyre final nga të gjithë ne”, u shpreh Kreu i Shtetit në këtë takim.

Ai ka informuar delegacionin edhe mbi propozimin e tij për të zhvilluar më 13 tetor zgjedhje trepalëshe, vendore, parlamentare dhe të Presidentit nga populli, ndonëse kjo e fundit nuk lejohet nga Kushtetuta.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN