OSBE publikon raportin për lirinë e medias në Shqipëri

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir ka publikuar sot një shqyrtim ligjor të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri.

“Është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend”, deklaroi përfaqësuesi i OSBE-së, i cili kujtoi se “bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike”.

Désir vlerësoi faktin se sipas projektligjit, ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike nuk janë të detyruara të regjistrohen për të kryer aktivitetet e tyre. Ai theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave të duhur vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Analiza ligjore thotë se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar, dhe më gjerë i “ofruesve të shërbimeve elektronike të botimit” nuk duhet të jetë i njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive. Përfaqësuesi vuri në dukje se kompetencat e AMA-s lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.

“Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të japë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me rëndësi të madhe që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë relevantë vendas dhe ndërkombëtarë të medias “, përfundoi përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias.

Shkarkoni aplikacionin e A2