Pranohet kërkesa e Ndocajt, KQZ do të hapë 11 kuti në Bashkinë e Lezhës

Pasi refuzoi 14 kërkesa ankimore të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, KQZ pranoi të hapë kutitë në Bashkinë e Lezhës, me kërkesë të Eduard Ndocajt dhe Partisë Konservatore Albania.

“Ankuesit kanë bërë një kërkesë ankimore duke referuar që në këto qendra votimi kanë ndodhur disa parregullsi” deklaroi anëtari i KQZ, Bledar Skënderaj.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Konservatore shpjegoi se në këto qendra votimi janë vënë re më shumë vota se votues.

“Në të paktën 11 qendra votimi nga vetë tabelat përmbledhëse të KZAZ-ve 12, 13, përkatësisht për zgjedhjet për kryetar bashkie në Lezhë kanë rezultuar më shumë vota të gjetura në kutitë e votimit sesa numri i zgjedhësve që efektivisht kanë marrë pjesë në to”, u shpreh përfaqësuesi i Partisë Konservatore.

Homologu i tij i Partisë Socialiste ishte i pari që pranoi, duke nënvizuar dallimin mes kësaj kërkese dhe asaj të partisë së Patozit.

“Të paktën kjo forcë na ka evidentuar që në bazë të dokumentacionit zgjedhor që është vënë në dispozicion ekziston një mospërputhje aritmetikore dhe logjike e personave që kanë votuar dhe votave që janë në kuti. Dhe përderisa kjo mospërputhje ekziston, unë bashkohem me kërkesën”, deklaroi përfaqësuesi i PS.

Eridian Salianji u duk se dha një mesazh edhe për të tjera forca politike.

“Me gjëra konkrete le t’i hapin kutitë në këtë komision. Pra ky Komision nuk duhet të jetë i mbylljes së kutive, por i hapjes së kutive dhe transparencës”, shtoi më tej Salianji.

Kërkesa mori mbështetjen e dy anëtarëve të KQZ-së dhe sipas Kodit Zgjedhor kaq mjafton për hapjen e kutive.

“Nuk ka diskutim, nuk kalon në votim kjo, nuk jemi duke votuar, e qartë dy anëtarë do hapin 11 kutitë” deklaroi nënkryetari Denar Biba.

Por kryetari Klement Zguri tha se nuk ishte i surprizuar.

“Shiko këtë vendim unë e dija përpara sepse media e dinte dhe më thanë “shiko se do merret kështu”, kështu që nuk e kam surprizë. Do hapen ca kuti më thanë”.

Zguri propozoi që të ketë hetim edhe për listat e zgjedhësve në kutitë që do të hapen, por nuk gjeti mbështetje. Propozimi i kreut të KQZ u rrëzua me 4 vota kundër dhe 1 pro nga anëtarët e tjerë në komision.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN