SHBA do të hetojë Francën, taksa kundër gjigandëve të teknologjisë globale

Franca rrezikon të bëhet pjesë e tarifave ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump urdhëroi një hetim ndaj planit të qeverisë së Parisit për të taksuar gjigandët e teknologjisë.

Përfaqësuesit e tij tregtarë shprehen se Uashingtoni është shumë i shqetësuar pasi taksa shënjestron në mënyrë të padrejtë kompanitë amerikane. Parlamenti francez do të miratojë një taksë prej 3% për të ardhurat e përfituara nga kompani si Google dhe Facebook brenda vendit. Qeveria e Parisit i bëri thirrje Uashingtonit për bashkëpunim dhe i kërkoi të heqë dorë nga kërcënimet.

“Besoj se mes aleatëve, ne mund të zgjidhim diferencat tona përmes mënyrave të tjera përveç kërcënimeve. Franca është një vend sovran dhe ndërmerr vendime të tilla lidhur me regjimin e taksave dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë”, tha Bruno le Maire, ministër i Financave.

Parisi e arsyeton këtë masë duke thënë se këto firma shfaqin mënyra të shmangies së taksave. Gjigandët e teknologjisë janë në gjendje të zhvendosin selitë e tyre qendrore në shtete me taksa të ulëta, në mënyrë që aty të deklarojnë shumicën e të ardhurave, duke shmangur kështu pagesën e plotë të detyrimeve.

Franca mund të përfitojë deri në 500 milionë euro nga taksimi i rreth 30 kompanive globale, nëse përfitimi i tyre vjetor shkon mbi 750 milionë euro, nga të cilat 25 milionë janë gjeneruar në Francë. Përveç firmave amerikane, taksa do të përfshijë dhe kompani britanike, gjermane, kineze dhe spanjolle.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN