Tarifa: Deklaratat e Metës ndaj ambasadorëve, në momente dëshpërimi – A2

Tarifa: Deklaratat e Metës ndaj ambasadorëve, në momente dëshpërimi

Diplomati Fatos Tarifa u shpreh në “Dita Jonë” se deklaratat e Presidentit Meta ndaj ambasadorëve kanë ardhur në një moment dëshpërimi për Presidentin.

“Është një zhvillim negative. Por nuk mendoj se thëniet e Presidentit në këtë rast do të ndikonin në përkeqësimin e marrëdhëniet tona me këto vende. Unë e kuptoj si një shprehje dëshpërimi të Presidentit, në një moment shumë të vështirë për të, kur është hapur një proces për shkarkimin e tij, kur ai ka bërë disa gabime lidhur me zgjedhjet. Dy dekretet që ai nxori ishin jo kushtetuese. Ai ka bërë lëvizje politike që janë të njëanshme. Në kushtet kur ai e sheh veten në një pozicion të vështirë, ndoshta nuk është menduar mirë kur ka bërë këto deklarata për rolin e ambasadorëve”, tha Tarifa.

Më tej, ai theksoi se nëse nuk do të kishin qenë ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të kishte ndërmarrë asnjë reformë të rëndësishme.

“Nëse nuk do të kishte qenë Departamenti Amerikan i Shtetit, nëse nuk do të kishte qenë ngulmimi i Bashkimit Europian, Shqipëria nuk do të kishte ndërmarrë asnjë reformë të rëndësishme. Ne nuk kemi pasur asnjëherë vullnetin, as mundësinë. Nëse të huajt do të na lënë të bëjmë si kemi bërë deri më sot, do të vazhdojmë të kemi po të njëjtën Shqipëri. Gjithnjë e më shumë shqiptarët po e kuptojnë këtë. Edhe në protestën e fundit, ishin shumë pak. Ishin të ardhur nga rrethet. Ata ishin militant, nuk ka popull opozitar dhe më këtë abuzohet shumë”, u shpreh Tarifa.

Shkarkoni aplikacionin e A2