Tërhiqet PS, për arrestimin e deputetëve nuk kërkohen prova në Kuvend

Pas 2 vjetësh në sirtarët e Kuvendit, sesioni plenar do të mbyllet me një rregullore të re. Komisioni i ligjeve mbylli me deputetët e rinj një pjesë të madhe të amendimeve të rregullores që nuk mundi t’i bënte me opozitën e vjetër.

Por Partia Socialiste u tërhoq nga propozimi për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për autorizimin e ndjekjes penale.

Nisma ishte propozuar fillimisht në janar të vitit 2018 nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, por ka qenë po ky i fundit që e ka tërhequr atë. Asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, me ndryshimet e vitit 2012 në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të gjithë deputetët nuk gëzojnë më imunitet dhe Prokuroria mund të marrë autorizimin për arrestimin e tyre.

Gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve, kreu i tij, Ulsi Manja, tha se nisma është tërhequr për të shmangur debatin politik. “Kur të paraqitet një rast i tillë, do t’i referohemi kushtetutës”, tha ai.

Ndryshimet e tjera në rregulloren e Kuvendit

Një tjetër vendim i marrë në seancën e fundit të komisionit të ligjeve, u miratua propozimi që diskutimet gjatë seancave plenare të mos jenë më të gjata se sa 10 minuta për deputet. Deputetët e Partisë Socialiste e argumentuan këtë vendim me faktin që ishte abuzuar me kohën që iu është lënë në dispozicion deputetëve për të folur. Vendimi u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët u ankuan se po i hiqen të gjitha të drejtat.

Një tjetër ndryshim që i bëhet rregullores së Kuvendit është edhe ai i numrit minimal të deputetëve të nevojshëm për të nisur seancën plenare. Momentalisht ky numër duhet të jetë 71 deputetë, pra mbi 50% e Parlamentit, ndërsa me ndryshimin e bërë, do të mjaftojnë 15 deputetë në sallë për të nisur seanca. Edhe ky ndryshim është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, por edhe Bashkim Fino, i cili e ka quajtur këtë ndryshim një “nen për gjumashët”.

Të gjitha ndryshimet do të hidhen për votim në seancën plenare të 18 korrikut.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN