Armatimet ruse mbërrijnë në Turqi

Turqia ka marrë në dorëzim pjesën e parë të sistemit rus të mbrojtjes S-400, pavarësisht kundërshtimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dërgesa mbërriti në bazën ajrore ushtarake të Ankarasë të premten, konfirmoi Ministria turke e Mbrojtjes.

Ky veprim do të tensionojë edhe më tepër Shtetet e Bashkuara që kishin paralajmëruar Turqinë se nuk mund të mbante njëkohësisht sistemin kundërajror rus dhe avionë luftarakë amerikanë F-35.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë aleate në NATO por prej disa vitesh tashmë Ankaraja ka shtuar lidhjet me Rusinë. Turqia ka pranuar të blejë 100 avionë luftarakë amerikane F-35 dhe është investuar së tepërmi në këtë program. Por zyrtarët amerikanë kanë bërë të qartë se nuk duan që avionët e tyre të qëndrojnë pranë teknikëve rusë, të cilët mund të zbulojnë dhe pikat e dobëta.

Si punon sistemi S-400?

Sistemi është i pajisur me një radar për distanca të gjata që dërgon informacion mbi objektet e kapura prej tij.

Pasi objektivi shënjestrohet, jepet urdhri për të lëshuar predhat tokë-ajër dhe një radar shtesë orienton predhën të godasë në shenjë.

Shkarkoni aplikacionin e A2