Ekstradohet si kreu i një rrjeti që trafikonte klandestinë, lirohet pasi i kishin ngatërruar identitetin

Një gjykatë në Itali vendosi se një person i ekstraduar nga Eritrea për trafik të qenieve njerëzore ishte viktimë e një ngatërrimi identitetesh.

Medhanie Tesfamariam Behre u ngatërrua nga autoritetet italiane si kreu i një rrjeti që trafikonte klandestinë i quajtur Mered Medhanie, i njohur ndryshe si “Gjenerali”

Medhanie Tesfamariam Behre qëndroi 3 vjet në burg dhe insistonte gjithë kohës se nuk ishte personi që thonin prokurorët.  Vetëm të premten Gjykata e pranoi gabimin, megjithatë i dha një dënim 5 vjeçar Behre për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit. Por ai u lirua menjëherë në sallën e gjyqit pasi këtë dënim tani e ka shlyer prapa hekurave.

Hetuesit britanikë dhe italianë punuan së bashku për kapjen e Behre, duke insistuar se ai ishte zemra e trafikimit të emigrantëve nga Afrika në Evropë. Në një deklaratë të Agjencisë Britanike kundër Krimit konfirmohej se arrestimi i eritreanit erdhi pas mbledhjeve të informacionit.

Por viktimat dhe të afërm të trafikantit Mered Medhanie deklaronin në gjyq se nuk e njihnin personin e arrestuar. Prokurorët insistonin se kishin të drejtë pavarësisht testeve të ADN dhe pamjes së ndryshme.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN