Kultivimi i kanabisit, urdhri i ministrit Lleshaj nuk zbatohet në terren

Nëse identifikimi i parcelave të mbjella me kanabis para datës 15 qershor cilësohej si arritje e policisë, pas kësaj date gjetja e parcelave të mbjella me kanabis do të ishte përgjegjësi penale jo vetëm e administratorëve të zonave, por edhe të punonjësve të policisë që kishin për detyrë kontrollin e territorit.

Ky ka qenë kushti i ministrit të Brendshëm në kuadër të luftës kundër kultivimit të kanabisit. Thuajse një muaj më pas, ministri Sandër Lleshaj e ka rikonfirmuar këtë fakt, madje duke u shprehur se kështu është procedura dhe do të procedohet në të ardhmen.

Por, duke u nisur nga komunikatat e policisë për gjetjen e parcelave të mbjella me kanabis sativa kryesisht në jug të vendit rezulton se vetëm në një rast, në Fier janë proceduar punonjës policie, ndërsa për disa raste të tjera në Vlorë dhe Tepelenë janë proceduar vetëm kultivuesit apo ndonjë prej administratorëve.

Këtë fakt e ka pohuar edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, sipas të cilit, nga të gjitha rastet pas 15 qershorit ku janë gjetur parcela me kanabis, janë proceduar vetëm dy punonjës policie në Fier.

Me sa duket, informacioni i ministrit me atë çka ndodh “de facto” në terren nuk përputhen.  

Shkarkoni aplikacionin e A2