Në arrati prej dy vitesh, kapet shkodrani i akuzuar për vrasje – A2

Në arrati prej dy vitesh, kapet shkodrani i akuzuar për vrasje

Kishte marrë leje nga burgu ku vuante një dënim për vjedhje me armë dhe kishte përfituar për të vrarë një person. Por pas gati dy vitesh arrati, Artan Koçeku ka përfunduar në pranga, i arrestuar këtë të premte nga forcat “Shqiponja” në Shkodër.

29-vjeçari, banues në Pog të Shkodrës, ka vrarë me armë zjarri në 17 dhjetor të vitit 2017 35-vjeçarin A.Sh, banues në fshatin Pulaj të Shkodrës. Koçeku është përfshirë edhe në një konflikt me armë në vitin 2018, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet.

Edhe këtë herë, ai është përpjekur sërish t’i largohet forcave të policisë, por nuk ia ka dalë dot dhe është neutralizuar prej tyre. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.

Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi  Rr.D., 24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” .

Shkarkoni aplikacionin e A2